Prizren, 13.05.2025
Ka nisur punimet Seminari Rajonal, i organizuar nga JICA –Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Republika e Shqipërisë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.
Republika e Kosovës është nikoqire e këtij seminari, ndërsa punimet po zhvillohen në qytetin e Prizrenit dhe do të zgjasin përgjatë tre ditëve.
Seminari është pjesë e Projektit për Ndërtimin e Kapaciteteve për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, përmes Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Ekosistem (Eco-DRR), projekt ky që zbatohet nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent me mbështetjen e Qeverisë së Japonisë dhe JICA-s.
Në hapje të seminarit, me një fjalë rasti iu drejtuan pjesëmarrësve Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani dhe Drejtori Ekzekutiv i AME-së, z. Genc Metaj. Ata theksuan rëndësinë e zhvillimit dhe funksionalizimit të sistemit NFFIS në parandalimin dhe menaxhimin më efikas të zjarreve në pyje, si dhe shprehën mirënjohje të veçantë ndaj shtetit të Japonisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ofron Republikës së Kosovës në forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve natyrore.
Gjatë seminarit, pjesëmarrësit do të ndajnë përvoja dhe praktika të mira në menaxhimin e zjarreve, reagimin ndaj fatkeqësive dhe zgjidhjet e bazuara në natyrë, duke fuqizuar më tej bashkëpunimin rajonal dhe ndërlidhjen institucionale në këtë fushë.